Kryediplomati evropian: Mbështetja e BE-së për Ukrainën nuk varet nga suksesi në fushën e betejës
2023-10-04 10:59:44

Foto nga VCG

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se ndihma ndaj Ukrainës nuk varet nga përparimet në fushën e betejës. 

“Mbështetja jonë nuk varet nga përparimet e një dite. Është mbështetje e përhershme dhe e strukturuar, sepse ne po përballemi me një kërcënim ekzistencial për Evropën”,- tha Borrell gjatë një konference për shtyp pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Kiev, ku u vendos që Ukraina të ndihmohet me një paketë prej 5 miliardë eurosh, shkruan “RTSH”. 

Ai theksoi se mbështetja e BE-së për Ukrainën nuk varet nga mënyra se si do të jetë ecuria e konfliktit në ditët apo javët e ardhshme, duke shtuar se ushtarët ukrainas po luftojnë me shumë guxim përballë fortifikimeve të mbrojtjes ruse. 

Kryediplomati i BE-së tha gjithashtu se nëse partnerët duan që Ukraina të jetë më e suksesshme, ata duhet t'i sigurojnë asaj armë më të mira dhe më të shpejta. (Elona)