Foto nga VCG
Republika Çeke do të vendosë kontrolle përgjatë kufirit të saj me Sllovakinë, pas rritjes së hyrjeve të emigrantëve të parregullt në vendet e Bashkimit Evropian, njoftoi kryeministri Petr Fiala.
Prej sot kanë hyrë në fuqi masat e reja të përkohshme, sipas të cilave personat që kalojnë kufirin prej 250 kilometrash do t’i nënshtrohen kontrolleve të rastësishme, shkruan “ATSH”.
“Ne nuk po e marrim lehtë këtë situatë dhe po reagojmë me shpejtësi”, tha Fiala, duke e përshkruar masën si veprim për të luftuar trafikantët e njerëzve.
Të dy shtetet janë anëtarë të zonës së udhëtimit të lirë Shengen që përfshin pjesën më të madhe të Bashkimit Evropian dhe disa vende të tjera.
Rregullat e Shengenit lejojnë vendosjen e përkohshme të kontrolleve kufitare.
Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, javën e kaluar njoftoi kontrolle shtesë fleksibël në rrugët e trafikimit në kufirin me Poloninë dhe Republikën Çeke.
Polonia ka vendosur kontrolle më të rrepta përgjatë kufirit me Sllovakinë, me arsyetimin se emigrantët po arrijnë në territorin e BE-së përmes rrugës ballkanike. (Elona)