BE, paketë ndihme prej 5 miliardë euro për Ukrainën
2023-10-04 10:20:33

Foto nga VCG

Ukraina do të marrë miliarda euro më shumë ndihmë ushtarake, si dhe trajnime për pilotët luftarakë, deklaroi kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas një takimi historik të ministrave të Jashtëm të BE-së në Kiev. 

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme deklaroi se blloku 27-vendesh mbetet i përkushtuar për të ndihmuar Ukrainën në konfliktin me Rusinë, citon  “RTSH”. Borrell tha se BE-ja ka propozuar një paketë ndihme prej 5 miliardë euro për forcat e armatosura të Ukrainës. 

Vendet e BE-së do të trajnojnë 40 mijë ushtarë, do të ofrojnë trajnim special për pilotët luftarakë dhe do të thellojnë lidhjet midis BE-së dhe kompanive të mbrojtjes ukrainase. 

Deklarata e Borrell erdhi pasi ministrat e Jashtëm të BE-së zhvilluan bisedime me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. 

Kjo ishte hera e parë që ata u mblodhën jashtë territorit të BE-së dhe samiti i parë jozyrtar i zhvilluar në një zonë në konflikt. Sipas Borrell, takimi dërgoi një mesazh të fortë solidariteti dhe mbështetjeje. (Elona)