Presidenti gjerman kërkon kufizim të pranimit të refugjatëve
2023-10-04 11:14:55

Foto nga VCG

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier është për kufizimin e pranimit të refugjatëve në vend. “Ne duhet të kufizojmë numrin e hyrjeve në vend”,- deklaroi presidenti gjerman gjatë një interviste mediatike, duke theksuar se një kufizim i pranimeve mund të arrihet vetëm nëse Gjermania vendos kontrolle kufitare bashkë me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian, shkruan “Panorama”. 

“Procesi i verifikimit të aplikimeve për azil për personat që nuk kanë asnjë shans të fitojnë azilin të realizohet në kufijtë e jashtëm dhe njerëzit të kthehen që atje. Nëse vendoset ky rregull, dhe jemi drejt kësaj rruge, për fat të mirë, atëherë mund të pakësohen edhe shifrat e të mbërriturve në Gjermani. Ky është një proces i mundimshëm”,- tha Steinmeier. 

Steinmeier bën thirrje që federata, landet dhe komunat të veprojnë bashkarisht.  

Edhe kancelari gjerman Olaf Scholz është pro kufizimit të emigracionit në rritje. 

“Numri i refugjatëve që synojnë të vijnë në Gjermani është aktualisht shumë i lartë”,- deklaroi Scholz për “Redaktionsnetzwerk Deutschland”. 

Numri i emigrantëve të rinj në Gjermani është rritur së fundi. Nga janari deri në gusht 2023, sipas “Bundesamt für Migration und Flüchtlinge” (Bamf), kanë paraqitur kërkesë për azil 220.116 vetë, shumica nga Siria dhe Afganistani. Sipas anketimeve, mbi 70 për qind e gjermanëve të pyetur ndihen të mbingarkuar. 27 për qind mendojnë se Gjermania mund ta përballojë numrin e azilkërkuesve. (Elona)