Policia turke ndalon 20 persona të dyshuar për lidhje me sulmin në Ankara
2023-10-04 11:38:58

Foto nga VCG

Forcat turke të sigurisë kanë ndaluar 20 persona të dyshuar për lidhje me grupin militant kurd që mori përgjegjësinë për sulmin vetëvrasës në fundjavë, në kryeqytetin Ankara. 

Ministria e Brendshme njoftoi se të dyshuarit u ndaluan në Stamboll dhe provincën Kirikkale, në lindje të Ankarasë, shkruan “ATSH”. 

Partia e ndaluar e Punëtorëve Kurdë, ose PKK, mori përgjegjësinë për sulmin e së dielës, në të cilin një sulmues hodhi veten në erë përpara hyrjes së Ministrisë së Brendshme dhe një tjetër vdiq nga të shtënat e policisë. 

Dy policë u plagosën lehtë nga shkëmbimi i zjarrit pas shpërthimit. 

Sipas Ministrisë së Brendshme, gjatë operacioneve të sigurisë u konfiskuan armë dhe municione. (Elona)