Foto nga VCG
Pentagoni ka paralajmëruar Kongresin se po mbarojnë fondet për zëvendësimin e armëve që Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Ukrainës, duke thënë se Mbrojtja tashmë është detyruar të ngadalësojë furnizimet me pajisje për disa departamente.
Një shkresë dërguar nga nënsekretari i Mbrojtjes, Michael McCord, drejtuesve të Dhomës dhe Senatit, cituar nga “Associated Press”, përcjell nga “RTSH”, bën të ditur se vetëm 1.6 miliardë dollarë mbeten në dispozicion nga 25.9 miliardë që Kongresi i ka vënë në dispozicion Pentagonit për të rivendosur furnizimet me armatime dhe materiale të dërguara në Ukrainë.
Përveç kësaj, Pentagoni ka ende 5.4 miliardë dollarë armë dhe pajisje nga arsenalet e tij në dispozicion për të ndihmuar Ukrainën.
Pavarësisht paralajmërimit nga ana e Pentagonit, presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi të dielën se mbështetja financiare për Ukrainën nuk duhet të ndalet. (Elona)