Ilustrim i eksplorimit të Kinës në Hënë. / CFP
Kina krijon mundësi për bashkëpunim ndërkombëtar në misionin e eksplorimit hënor “Chang'e-8”, u shprehën përfaqësues të Administratës Kombëtare Hapësinore të Kinës (CNSA) në Kongresin e 74-të Ndërkombëtar Astronautik të hënën.
Sipas CNSA-së, Kina "mirëpret vendet dhe organizatat ndërkombëtare që të bashkohen e të bashkëpunojnë mbi detyrat, sistemet dhe strukturat, për të arritur së bashku zbulime më të rëndësishme shkencore origjinale".
Misioni “Chang'e-8” është planifikuar të nisë rreth vitit 2028 dhe do të kryejë një numër kërkimesh, të tilla si zbulimi gjeologjik dhe kërkimi në vende e zona të shumta në Hënë, vëzhgimi dhe studimi i Tokës nga Hëna, analiza e mostrave në vend dhe kërkimet mbi ekosistemin tokësor në shkallë të vogël të mbyllur në sipërfaqen hënore. Anija kozmike “Chang'e-8” dhe paraardhësja e saj “Chang'e-7” pritet të formojnë një stacion parësor të kërkimeve hënore.
CNSA bëri të ditur që misioni do të theksojë bashkëpunimin mbi hulumtimin e përbashkët të Hënës, robotët hënorë që mund të funksionojnë në sipërfaqen e satelitit të vetëm natyror të Tokës, bashkëpunimin shkencor lidhur me ngarkesën plotësuese për projektet e tanishme dhe projektet shkencore të drejtuara nga risitë.
Në kuadër të bashkëpunimit gjatë misionit “Chang'e-8”, vendet e tjera mund të përdorin deri në 200 kilogramë kapacitet të ngarkesës, dhe çdo ngarkesë nuk mund t’i kalojë 100 kilogramët. Projekti i bashkëpunimit do të konfirmohet në shtator 2024. (Artan)