Delfin (Foto Atsh)
Më shumë se njëqind delfinë janë gjetur të ngordhur në Amazonën braziliane mes një thatësire historike dhe temperaturave të larta rekord të ujit, që në disa vende kanë kaluar 38 gradë Celsius, njofton “RTSH”.
Delfinët e ngordhur u gjetën të gjithë në liqenin Tefé gjatë shtatë ditëve të fundit, sipas Institutit Mamirauá, një strukturë kërkimore e financuar nga Ministria braziliane e Shkencës.
Sipas institutit, një numër kaq i lartë i ngordhjeve ishte i pazakontë dhe se shkak mund të kenë qenë temperaturat e larta rekord të liqenit dhe një thatësirë historike në Amazon.
Lajmi ka të ngjarë të shtojë shqetësimet e shkencëtarëve të klimës mbi efektet që kanë aktiviteti njerëzor dhe thatësira ekstreme në rajon.
Lumi Amazon, rruga më e madhe ujore në botë, aktualisht është në sezonin e thatë dhe disa ekzemplarë të faunës së lumenjve po vuajnë gjithashtu nga temperaturat e larta rekord.
Nivelet nën mesataren e ujit janë raportuar në 59 komuna në shtetin e Amazonas, duke penguar si transportin ashtu edhe aktivitetet e peshkimit në lumë.
Autoritetet presin thatësira edhe më akute gjatë dy javëve të ardhshme, të cilat mund të rezultojnë në ngordhje të mëtejshme të delfinëve. (Fatosi)