Shpërthim i fuqishëm pranë Parlamentit dhe Ministrisë së Brendshme në Turqi
2023-10-02 16:30:26

CFP

CFP

Një shpërthim i fortë është dëgjuar mëngjesin e së dielës në Ankara, pranë Parlamentit turk, i cili më pas do të fillonte mbledhjet për mandatin e ri parlamentar, njofton “RTSH”.

Ministria e Brendshme e Turqisë bëri të ditur se shpërthimi në kryeqytet është një sulm terrorist. Sipas saj, shpërthimi i një mjeti në kryeqytetin turk i mori jetën dy policëve. Po ashtu, kanë vdekur edhe kamikazja dhe një sulmues tjetër.

Ministri i Brendshëm, Ali Gerlikaya, në një deklaratë në llogarinë e tij në rrjetet sociale, tha se mëngjesin e të dielës ka ndodhur një sulm me bombë nga dy terroristë të cilët kanë ardhur me një automjet para portës hyrjese të Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë dhe Ministrisë së Brendshme.

“Njëri nga terroristët hodhi veten në erë dhe terroristi tjetër u neutralizua. Dy policë kanë humbur jetën gjatë zjarrit. Një tjetër anëtar i yni është plagosur lehtë. I uroj heronjve tanë shërim të shpejtë. Lufta do të vazhdojë pa pushim derisa terroristi i fundit të neutralizohet”, tha ai.

CFP

CFP

Në vendngjarje kanë shkuar disa automjete policie dhe autoambulanca.

Sipas filialit turk të “CNN”-së, shpërthimi ndodhi në një automjet gri. Mësohet gjithashtu se pas shpërthimit janë dëgjuar të shtëna armësh. (Fatosi)