Hyn në fuqi taksa e karbonit, BE-ja vendos tarifa për importuesit e çimentos dhe metaleve
2023-10-02 18:34:39

Taksa per emetimet (Foto Rtsh)

Taksa per emetimet (Foto Rtsh)

Bashkimi Evropian nisi të dielën fazën e parë të mekanizmit për të vendosur tarifa mbi dyoksidin e karbonit (CO2) që lëshojnë produktet e importuara, si çeliku, çimentoja, hekuri, energjia elektrike, plehrat kimike, hidrogjeni dhe mallra të tjera, njofton “RTSH”.

Deri në vitin 2026, operatorët duhet të raportojnë sasinë e gazeve që emetohen në atmosferë nga prodhimi i këtyre produkteve, përndryshe do të përballen me gjoba nga 10 deri 50 euro për ton nëse i shmangen detyrimit.

Nga viti 2026 do të aplikohen tarifat, që janë pjesë e politikave mjedisore të BE-së. Importuesit do duhet të pajisen me certifikata për emetimet e CO2-shit dhe duhet të pajisjen me leje të posaçme në tregun e karbonit të BE-së kur ata bëhen ndotës të ambientit.

Sipas Komisionit Evropian, tarifa kufitare është menduar dhe është në linjë me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe qëllimi mbetet prodhimi industrial në mënyrë ekologjike.

Kompanitë në Bashkimin Evropian bëjnë të ditur se nuk presin ndikim të madh nga tarifa e re kufitare gjatë fazës fillestare të provës. (Fatosi)