foto/VCG
300 000 veta u mblodhën në sheshin “Tiananmen” të Pekinit të dielën në mëngjes për të kremtuar 74-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës.
Gjatë orëve të para të mëngjesit, turistë të shumtë u nisën me padurim për në sheshin “Tiananmen”, duke shpresuar të gjejnë pikat më të mira për të parë ceremoninë e ngritjes së flamurit gjatë Ditës Kombëtare. Rreth orës 5:00 të mëngjesit, sheshi ishte mbushur plot njerëz. Disa valëvitnin flamujt kombëtarë dhe bënin fotografi pranë shportave gjigante me lule, ndërsa të tjerë i kishin zbukuruar fytyrat e tyre me ngjitëse të kuqe ku shkruhej “Të dua, Kinë”, në pritje të momentit të ngritjes së flamurit.
Në orën 6:05 të mëngjesit, boria që paralajmëronte ngritjen e flamurit ushtoi në të gjithë sheshin, duke nënkuptuar fillimin zyrtar të ceremonisë. Anëtarët e Gardës së Nderit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës, duke marshuar me një ritëm kumbues dhe të sinkronizuar, dolën nga kulla e portës, kaluan Urën e Ujit të Artë dhe shoqëruan flamurin e kuq me pesë yje deri në sheshin “Tiananmen”.
foto/VCG
Në orën 6:10 të mëngjesit, banda ushtarake filloi të luante himnin kombëtar, ndërsa flamurtari e ngriti flamurin kombëtar lart në qiell. Flamuri i kuq me pesë yje u ngjit ngadalë mes dritës së mëngjesit.
Në ceremoni morën pjesë jo vetëm të pranishmit në vendngjarje, por edhe një numër i madh përdoruesish të internetit, shumë prej të cilëve postuan komente duke shprehur urimet e tyre më të mira për vendin.
1 tetori i këtij viti nuk është dita e parë, por e tretë e pushimeve tetëditore në Kinë, që ndërthurin si Festën e Mesvjeshtës, ashtu edhe Ditën Kombëtare të Kinës, dhe shumë njerëz kanë nisur udhëtimet pas bashkimit familjar.
foto/VCG
Këto pushime janë të veçanta, sepse janë të parat në Kinë pas epidemisë, dhe udhëtimet e konsumi pritet të mëkëmben në nivele shumë të larta. Ndërsa pushimet po i afrohen mesit të tyre, shumë krahina kanë publikuar të dhënat që tregojnë numrin e turistëve që kanë pritur dhe të ardhurat e krijuara. (Fang Xiaoyu/Artan)