CFP
Më shumë se 100 mijë persona janë larguar nga krahina e Nagorno-Karabakut. Kjo do të thotë se gati të gjithë banorët e enklavës armene, popullsia e së cilës vlerësohej të kapte shifrën e 120 mijë banorëve, janë larguar nga shtëpitë e tyre qëkur Azerbajxhani mori nën kontroll krahinën javën e shkuar, shkruan “RTSH”.
Azerbajxhani është shprehur se synon të riintegrojë zonën dhe t’i trajtojë banorët e saj si qytetarë të barabratë, por një zëdhënës i qeverisë armene u shpreh se kjo ishte një gënjeshër.
Për tre dekada, Nagorno-Karabaku, i cili ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit, është drejtuar nga forcat separatiste armene. Por pas ndërmarrjes së një ofensive nga ushtria azere, separatistët u detyruan të dorëzohen pas arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi.
CFP
Të paktën 200 armenë dhe dhjetëra ushtarë azerë u vranë gjatë luftimeve, ndërsa rreth 170 të tjerë humbën jetën si pasojë e shpërthimit të një depozite karburantesh në krahinë.
Gjatë 30 viteve të fundit, Armenia dhe Azerbajxhani kanë hyrë dy herë në luftë për Nagorno-Karabakun. (Fatosi)
CFP