foto: VCG
Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM) parashikon se deri në vitin 2050 mund të ketë nga 44 milionë deri në 216 milionë emigrantë klimaterikë.
Sipas ekspertëve, ndërsa intensifikohen ndikimet e krizës klimaterike, emigrimet klimaterike brenda vendit mund të bëhen më të shpeshta, shkruan “ATSH”.
Ndryshimet klimaterike dhe rritja e temperaturave globale po çojnë në fatkeqësi të ndryshme natyrore në shumë rajone të botës. Pasojat shkatërruese të fatkeqësive natyrore dhe ngjarjeve ekstreme të motit po i detyrojnë njerëzit të emigrojnë në zona më të sigurta.
Sipas raportit të IOM-it të vitit të kaluar, gjatë dekadës së fundit mesatarisht 21.6 milionë njerëz në nivel global duhej të emigronin brenda vendeve të tyre për shkak të vështirësive që kanë të bëjnë me ndryshimet klimaterike.
Raporti paralajmëron se në dekadën e ardhshme rreziqet e ndryshimeve klimaterike janë në rritje në nivel global, me rreth 1 miliard njerëz që pritet të përballen me çështje si rritja e nivelit të detit, përmbytjet, thatësirat, temperaturat ekstreme dhe siguria ushqimore.
Sipas raportit, nga viti 2012 deri në vitin 2021 rajonet më të prekura nga ngjarjet e motit të lidhura me ndryshimet klimaterike ishin Azia Lindore dhe Paqësori, Azia Juglindore, Afrika Sub-Sahariane, Amerika e Veriut dhe Amerika e Jugut, Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, si dhe Evropa dhe Azia Qendrore.
Raporti thekson se në Evropë dhe Azinë Qendrore, ku lëvizshmëria njerëzore e lidhur me krizën klimatike ishte më e ulët, pothuajse 2 milionë njerëz duhej të përballeshin me fatkeqësitë e përmbytjeve. (Irma)