foto: VCG
Qeveritë e Bashkimit Evropian diskutuan se si të rinovojnë vendimmarrjen dhe financat e BE-së për të qenë gati për anëtarët e rinj, pasi KE-ja bëri të ditur se do të propozojë shumat financiare dhe aksesin në tregun e BE për kandidatët, për të përshpejtuar përgatitjet e tyre për anëtarësim, shkruan “RTSH”.
Bisedimet midis ministrave të çështjeve të BE-së të 27 vendeve anëtare në qytetin spanjoll të Murcias i paraprijnë samitit të BE-së më 5-6 tetor.
“Zgjerimi është një nga sfidat kryesore me të cilat po përballet BE-ja. Duhet të përgatitemi për zgjerim”,- deklaroi ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së.
Vendet që kanë statusin zyrtar të kandidatit për në BE janë: Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Turqia, Ukraina dhe Moldavia.
Eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, deklaroi se BE-ja do të bëjë reforma të brendshme, paralelisht me përgatitjet e bëra nga vendet kandidate, për të përmbushur kriteret komplekse të hyrjes në Bllok.
“Për të ndihmuar vendet kandidate të përparojnë me reformat, Komisioni Evropian do të paraqesë në dy javët e ardhshme një paketë masash që do t'u ofronte atyre akses gradual në tregun e BE-së, si dhe para shtesë”,- tha Varhelyi.
Udhërrëfyesi i bisedimeve mbi përgatitjet e brendshme të BE-së është një dokument i përgatitur nga studiues francezë dhe gjermanë, i cili bën thirrje për një rishikim rrënjësor të vendimmarrjes dhe financimit të BE-së, përpara se të pranojë më shumë vende deri në një afat paraprak si viti 2030. (Irma)