Presidenti kinez Xi Jinping theksoi se Kina është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Organizatën Arsimore, Shkencore dhe Kulturore të Kombeve të Bashkuara (UNESCO), për të çuar përpara së bashku kauzën e paqes dhe të zhvillimit botëror.
Presidenti kinez Xi Jinping takohte me drejtoreshën e përgjithshme të UNESCO-s Audrey Azoulay(Foto:Xinhua)
Gjatë takimit që pati të enjten në Pekin me drejtoreshën e përgjithshme të kësaj organizate Audrey Azoulay, Xi tha se Kina është e gatshme të punojë më ngushtë me UNESCO-n për të ngritur më tej aftësinë dhe nivelin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, për të promovuar shkëmbimet, mësimin e ndërsjellë e bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet qytetërimeve të ndryshme, për të kontribuar në paqen botërore dhe për të nxitur ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit.
Xi vuri në dukje se zhvillimi i jashtëzakonshëm i Kinës, këtij vendi me më shumë se 1.4 miliardë banorë, është në vetvete një kontribut i rëndësishëm në përparimin e qytetërimit njerëzor.
Kreu i shtetit kinez theksoi se Kina është e përkushtuar për shndërrimin në një vend modern socialist në të gjitha aspektet deri në mesin e këtij shekulli dhe i përmbahet strategjisë së rilindjes kombëtare nëpërmjet shkencës e arsimit, promovon në mënyrë aktive zhvillimin e arsimit, shkencës, teknologjisë e kulturës dhe u kushton rëndësi shkëmbimeve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me UNESCO-n e palët e tjera. Sipas tij, pala kineze është e gatshme të punojë me UNESCO-n për të kontribuuar në zhvillimin e përbashkët të botës.
Foto:VCG
Duke vlerësuar mbështetjen e Kinës për punën e UNESCO-s dhe bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Kinës dhe UNESCO-s, Azoulay tha se organizata e saj shpreson të forcojë më tej shkëmbimet dhe bashkëpunimin me Kinën në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, shkencës, kulturës dhe teknologjisë, të krijojë më shumë konsensus ndërkombëtar dhe të japë kontribut për ruajtjen e paqes dhe zhvillimit botëror.