Peng Liyuan kërkon më shumë mbështetje për të ndihmuar gratë të krijojnë një jetë të lumtur
2023-09-29 11:45:36

Peng Liyuan, bashkëshortja e presidentit kinez Xi Jinping dhe e dërguara e posaçme e Organizatës Arsimore, Shkencore dhe Kulturore të Kombeve të Bashkuara (UNESCO) për përparimin e arsimit të vajzave dhe grave, dhe Audrey Azoulay, drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, morën pjesë në ceremoninë e ndarjes së Çmimit të UNESCO-s 2023 për Arsimimin e Vajzave dhe Grave, që u mbajt të enjten në Pekin.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Projekti “Gonxhja e Pranverës” i Fondit të Fëmijëve dhe Adoleshentëve të Kinës dhe programi “Shkolla e Yllit” nga Aleanca për Arsimimin e Vajzave e Pakistanit, fituan Çmimin e UNESCO-s për Arsimimin e Vajzave dhe Grave të këtij viti. Të dy projektet synojnë të ndihmojnë vajzat në vështirësi të arsimohen.

Në ceremoni, znj. Peng tha se Kina ka punuar nga afër me UNESCO-n, dhe Çmimi për Arsimimin e Vajzave dhe Grave, i krijuar bashkërisht nga të dyja palët, ka dhënë një shembull e përvojë të vlefshme për zhvillimin e arsimit të vajzave dhe grave në botë.

Peng shprehu shpresën se komuniteti ndërkombëtar do t'i kushtojë më shumë vëmendje dhe do të mbështesë arsimimin e vajzave dhe grave, që tashmë përballet me sfida të reja. Ajo propozoi zhvillimin e edukimit shëndetësor, digjital dhe shkencor, në mënyrë që të ndihmohen më shumë vajza dhe gra të përmirësojnë shëndetin e tyre, të rrisin aftësinë e tyre për inovacion e biznes, si edhe të marrin në duart e tyre "çelësin” për të krijuar një jetë të lumtur.

"Shpresojmë që më shumë njerëz do t'i bashkohen kauzës së arsimimit të vajzave dhe grave dhe do t'i ndihmojnë ato të ndryshojnë fatin e tyre dhe të kuptojnë vlerën e jetës së vet nëpërmjet arsimimit," tha Peng.

Ajo shtoi se Kina i kushton rëndësi të madhe garantimit të të drejtave të barabarta të grave për arsim dhe është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të promovuar shkëmbimet ndërkombëtare dhe bashkëpunimin në nxitjen e zhvillimit me cilësi të lartë të arsimimit të vajzave dhe grave në mbarë botën.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s Audrey Azoulay, nga ana e saj, falënderoi qeverinë kineze për mbështetjen e fortë për UNESCO-n, dhe profesoreshën Peng për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në promovimin e arsimimit të vajzave dhe grave në mbarë botën.

Sipas saj, UNESCO-ja është e gatshme të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin me Kinën për të nxitur zhvillimin në këtë fushë.

Çmimi i UNESCO-s për Arsimimin e Vajzave dhe Grave vlerëson kontributet e jashtëzakonshme dhe novatore të dhëna nga individët, institucionet e organizatat për të çuar përpara arsimimin e vajzave dhe grave.

Projekti “Gonxhja e Pranverës”, i nisur nga Fondi i Fëmijëve dhe Adoleshentëve të Kinës në vitin 1989, ka financuar dhe ndihmuar mbi 3.69 milionë vajza të varfra deri në vitin 2019.