Foto nga CFP
Firmat kryesore industriale të Kinës shënuan rimëkëmbje të fitimit të tyre, duke u rritur me 17.2 për qind nga një vit më parë, bën të ditur “Xinhua”. Pas një rënieje prej 6.7 për qind në korrik dhe një rënieje prej 8.3 për qind në qershor, kjo rritje e fuqishme shënon të parën që nga gjysma e dytë e vitit 2022, sipas të dhënave të publikuara të mërkurën nga Zyra Kombëtare e Statistikave.
Ndërsa politikat pro-rritjes në vend vazhduan të shfaqnin ndikimin e tyre muajin e kaluar, prodhimi industrial pa një rimëkëmbje të qëndrueshme, me përmirësimin e vrullit të grumbullimit të fitimeve industriale, tha statisticieni Yu Weining.
Në tetë muajt e parë të vitit, fitimet e firmave të mëdha industriale me të ardhura vjetore të biznesit kryesor prej të paktën 20 milionë juanë (rreth 2.79 milionë dollarë amerikanë) arritën në 4.66 trilionë juanë, me një rënie prej 11.7 për qind në bazë vjetore.
Nga 41 kategoritë industriale të monitoruara nga zyra, 30 shënuan performancë më të mirë për sa u përket fitimeve gjatë periudhës janar-gusht. Rritja e fitimit për prodhimin e pajisjeve ishte 3.6 për qind për këtë periudhë, duke u përshpejtuar nga 1.7 për qind e regjistruar gjatë shtatë muajve të parë dhe duke udhëhequr përmirësimin e përgjithshëm, tha Yu, duke vënë në dukje se të gjitha subjektet e biznesit shënuan performancë më të mirë.
Fitimi i kombinuar i ndërmarrjeve shtetërore të vendit ra me 16.5 për qind në bazë vjetore në tetë muajt e parë, me ritmin e rënies duke u ngushtuar me 3.8 pikë përqindje nga shtatë muajt e parë.
Fitimet e firmave të financuara nga jashtë dhe kompanive private ranë me 11.1 për qind dhe 4.6 për qind, me ritmin e rënies duke u ngushtuar përkatësisht me 1.3 pikë përqindje dhe 6.1 pikë përqindje, nga periudha janar-korrik.
Të dhënat e publikuara të mërkurën konfirmuan më tej se ekonomia kineze fitoi vrull të konsiderueshëm muajin e kaluar. Kjo u evidentua përmes treguesve të ndryshëm pozitivë, duke përfshirë prodhimin e fortë në fabrikë dhe përmirësimin e ndjenjës së konsumatorit. (Elona)