Rusia ka akuzuar Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përfshirje në sulmin ukrainas ndaj selisë së flotës ruse të Detit të Zi, në Sevastopol, në Krime.
“Britania dhe SHBA-ja kanë mbështetur prej kohësh regjimin kriminal në Ukrainë”,- tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, në një konferencë për shtyp në Moskë.
“Sulmi i 22 shtatorit u krye, pa as më të voglin dyshim, me ndihmën e shërbimeve sekrete amerikane dhe britanike. Janë përdorur të dhëna të zbulimit perëndimor, satelitë të vendeve të NATO-s dhe avionë spiunazhi”,- shtoi ajo, citon “ATSH”.
Sipas saj, qëllimi i dukshëm i akteve të tilla terroriste është të largojnë vëmendjen nga përpjekjet e dështuara të kundërofensivës së forcave të armatosura ukrainase, të frikësojnë njerëzit dhe të nxisin panik në shoqëri.
Selia e flotës ruse të Detit të Zi në qytetin e Sevastopolit u dëmtua rëndë gjatë sulmit, i cili përfshinte përdorimin e dronëve dhe raketave. (Elona)