Një turist kinez pozon për një foto në Koloseun në Romë, Itali, 1 maj 2023/Xinhua
Tregu i udhëtimeve në Kinë pritet të marrë një hov tjetër me ardhjen e pushimeve të së ashtuquajturës Javë e Artë, e cila përfshin si Festën e Mesvjeshtës, ashtu edhe Ditën Kombëtare.
Tregu i turizmit jashtë vendit ka pasur një rritje të madhe në periudhën e pushimeve të Javës së Artë, e cila zgjat tetë ditë nga 29 shtatori deri në 6 tetor, me rezervime gati 20 herë më shumë krahasuar me vitin e kaluar, sipas raportit nga "Ctrip", një kompani kryesore kineze e shërbimeve të udhëtimit. Vendet më të parapëlqyera përfshijnë Tailandën, Korenë e Jugut, Malajzinë, Singaporin, Australinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Shtimi i udhëtimeve turistike jashtë vendit dhe lehtësimi i politikave të vizave për turistët kinezë janë kushte të favorshme për rimëkëmbjen e mëtejshme të tregut të turizmit jashtë vendit.
Kina në gusht njoftoi një raund të tretë të rinisjes së shërbimeve të grupeve turistike në 78 vende dhe rajone, duke përfshirë ShBA-në, Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë, Indinë dhe shumicën e vendeve evropiane, duke e zgjeruar sferën nga 60 në 138 vende dhe rajone.
Kryeministri i Tajlandës Srettha Thavisin (përpara, 4 nga L) mirëpret turistët kinezë në aeroportin Suvarnabhumi në Bangkok, Tajlandë, 25 shtator 2023./Xinhua
Agjencia e shërbimit të vizave "VFS Global" njoftoi se ka pasur rritje të ndjeshme të rezervimeve të aplikimeve për viza në vende të ndryshme që nga marsi. Deri në muajin maj, aplikimet për viza nga shtetasit kinezë arritën 40 për qind të nivelit të vitit 2019 përpara pandemisë. Agjencia parashikon që kërkesa për viza ka gjasa të mbetet e lartë gjatë gjithë vitit.
Qindra turistë kinezë që mbërritën në Bangkok të hënën, patën një pritje të posaçme, teksa kryeministri i Tajlandës Srettha Thavisin përshëndeti personalisht grupin e parë të vizitorëve që erdhën. Tajlanda nisi zbatimin e politikës së heqjes pesëmujore të vizave për turistët kinezë duke filluar po nga ajo ditë.
Pas njoftimit, kërkimet për bileta fluturimi në Tajlandë dhe në hotelet e saj në platformat kineze të udhëtimeve në internet u rritën menjëherë. Bangkoku, Çiang Mai dhe Phuketi janë tre prej destinacioneve më popullore në Tajlandë, sipas të dhënave nga "Mafengwo", një platformë kineze e shërbimit të udhëtimeve.
Deri në mes të shtatorit, numri i rezervimeve për hotele në Tajlandë gjatë pushimeve të Ditës Kombëtare u rrit 6 220 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas agjencisë kineze të udhëtimeve në internet "Trip.com".
Një pamje ajrore e një anijeje lundrimi liberiane të ankoruar në një port në Tianjin të Kinës veriore, 8 korrik 2023./Xinhua
Prirjet e reja në tregun e turizmit jashtë vendit tregojnë që, me gjithë rritjen e çmimeve, turistët kinezë, duke konsideruar faktorë të tillë si privatësia, shëndeti dhe personalizimi, ende parapëlqejnë grupe të vogla, të personalizuara me më pak se 10 veta, tha Zhou Weihong, zëvendësmenaxher i përgjithshëm i Agjencisë së Udhëtimeve "Turi Pranveror".