Turqia nënshkruan marrëveshje për eksportin e gazit natyror në Rumani
2023-09-28 15:48:02

Korporata turke naftësjellëse “BOTAŞ” bëri të ditur se Turqia ka rënë dakord të dërgojë gaz natyror përmes tubacionit në Rumani, duke filluar nga 1 tetori deri më 31 mars të vitit 2025.

Marrëveshja midis “BOTAŞ” dhe kompanisë rumune “OMV Petrom”, një ndër kompanitë më të mëdha të energjisë në rajon, do të mbulojë eksportin e mbi 4 milionë metër kub të gazit natyror në ditë në Rumani, bën të ditur “RTSH”.

“BOTAŞ” njoftoi se të dy kompanitë po ashtu u pajtuan të zhvillojnë bashkëpunimin në fushat e transmetimit, ruajtjes, prodhimit, teknologjive të energjisë së gjelbër, si dhe në tregtinë e gazit natyror.

Marrëveshja me Rumaninë është e fundit ndër disa marrëveshje të eksportit të gazit natyror midis Turqisë dhe vendeve fqinje.

Gjatë muajve të fundit, “BOTAŞ” ka nënshkruar marrëveshje për dërgimin e gazit natyror me Greqinë, Bullgarinë dhe Hungarinë.

Brenda tre vjetëve, “BOTAŞ” shpreson të renditet ndër dhjetë ndërmarrjet më të mira eksportuese në Turqi. (Elona)