Kandidatët republikanë sërish në debat; mungon ish-Presidenti Trump
2023-09-28 18:50:54

CFP

VCG

Shtatë kandidatë republikanë që shpresojnë të kandidojnë për president debatuan sërish mbrëmjen e së mërkurës, ndërsa secili përpiqet të shkëputet nga të tjerët dhe të bëhet sfidanti kryesor ndaj ish-Presidentit Donald Trump, që vazhdon të ruajë një avantazh të madh në garën brenda partisë për të fituar emërimin si kandidat për president në zgjedhjet e vitit 2024, megjithëse është duke u përballur me disa procese gjyqësore.

Ish-Presidenti Trump sërish po e shmang debatin e sponsorizuar nga Partia Republikane, ashtu siç veproi muajin e kaluar. Ndërsa kundërshtarët e tij debatonin në Bibliotekën Presidenciale “Ronald Reagan” në Kaliforni, ish-Presidenti Trump organizoi një tubim politik në Miçigan, një shtet i rëndësishëm për betejën elektorale, ku punëtorët e linjave të prodhimit të automobilëve janë ngritur në grevë ndaj tre kompanive më të mëdha të vendit.