Foto nga VCG
Forumi Botëror Bregdetar (WCF), i zhvilluar në Yancheng, në provincën Jiangsu të Kinës lindore, mblodhi rreth 1000 pjesëmarrës nga 34 vende, për të ofruar pikëpamjet e tyre mbi balancimin e mbrojtjes së ligatinave dhe zhvillimit ekonomik.
Ngjarja treditore përfshin një sërë forumesh dhe seminare që mbulojnë çështje të tilla si adresimi i sfidave në ruajtjen e ligatinave bregdetare, sigurimi i zhvillimit të qëndrueshëm në rajonet bregdetare dhe rritja e ndërgjegjësimit për ruajtjen e ekosistemit bregdetar.
Në ceremoninë e hapjes u njoftua edhe Nisma e Partneritetit të Forumit Botëror Bregdetar, e cila synon të shtyjë për një bashkëpunim më të ngushtë global në ruajtjen e ligatinave, shkruan “Xinhua”.
Me një vijë bregdetare prej 582 km dhe 769.700 hektarë ligatina, Yancheng është një pikë ndalimi jetike për miliona zogj shtegtarë gjatë migrimit të tyre përgjatë itinerarit Azia Lindore-Australazi.
Duke pasur parasysh rëndësinë në ruajtjen e stabilitetit të ekosistemit, strehët e shpendëve migratore përgjatë bregut të Detit të Verdhë-Gjirit Bohai në Yancheng u regjistruan në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, në vitin 2019.
E bashkorganizuar nga qeveria provinciale Jiangsu, Ministria e Burimeve Natyrore dhe Administrata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave, Forumi Botëror Bregdetar synon të inkurajojë dhe mbështesë një qasje me shumë palë për të forcuar mbrojtjen, menaxhimin e ruajtjes dhe restaurimin e ekosistemeve bregdetare të botës me përfitimet afatgjata të njerëzve dhe biodiversitetit. (Irma)