Ukraina merr tanket luftarake “Abrams” nga SHBA-ja
2023-09-27 11:45:54

Foto nga VCG

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi se vendi ka marrë tanke luftarake “Abrams” nga SHBA-ja.

““Abrams” janë tashmë në Ukrainë dhe po përgatiten të përforcojnë brigadat tona. U jam mirënjohës aleatëve për përmbushjen e marrëveshjeve”,- deklaroi presidenti ukrainas në një postim në “Telegram”, pa specifikuar modifikimet e bëra në tanke apo sasinë e saktë që është dorëzuar në Ukrainë, shkruan “Xinhua”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi në janar se Shtetet e Bashkuara do të dërgonin 31 tanke “Abrams” në Ukrainë.

I operuar nga një ekuipazh prej katër personash, “Abrams” është një tank luftarak i gjeneratës së tretë i projektuar nga SHBA-ja me një rreze veprimi deri në 420 km.

Biden njoftoi javën e kaluar një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën me vlerë 325 milionë dollarë amerikanë, duke përfshirë më shumë armë të mbrojtjes ajrore. Ky njoftim u bë gjatë vizitës së presidentit Zelensky në Uashington.

Që nga shkurti i vitit 2022, ndihma ushtarake e SHBA-së për Ukrainën ka arritur në 43.9 miliardë dollarë, sipas shifrave të qeverisë amerikane. (Irma)