Kina, e gatshme të konsolidojë bashkëpunimin dhe besimin e ndërsjellë me Egjiptin
2023-09-26 11:58:04

Foto nga Xinhua

Kina do të punojë së bashku me Egjiptin për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga krerët e shtetit të të dy vendeve dhe për të konsoliduar besimin e ndërsjellë politik, u shpreh anëtari i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) Li Xi në takimin me presidentin egjiptian Abdel-Fattah al-Sisi të dielën.

Li bëri një vizitë zyrtare miqësore në Egjipt nga e shtuna deri të hënën.

Ai vuri në dukje se dy krerët e shtetit në vitet e fundit kanë pasur shkëmbime të thella mbi lidhjet dypalëshe, bashkëpunimin shumëpalësh dhe qeverisjen, duke ofruar udhëzime thelbësore për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe në sfondin e ndryshimeve globale.

Kina do të vazhdojë të zgjerojë mbështetjen e ndërsjellë me Egjiptin në çështjet lidhur me interesat thelbësorë të njëri-tjetrit e do të nxisë sinergjinë mes nismës "Një brez, një rrugë" dhe Vizionit të Egjiptit 2030, tha zyrtari i lartë i PKK-së.

Li, gjithashtu sekretar i Komisionit Qendror për Kontrollin e Disiplinëstë të PKK-së, shprehu shpresën se të dy palët do të forcojnë shkëmbimet ndërpartiake dhe bashkëpunimin kundër korrupsionit.

Kina uron Egjiptin për marrjen e ftesës për t'iu bashkuar mekanizmit të bashkëpunimit të BRICS-it dhe është e gatshme të forcojë bashkërendimin dhe bashkëpunimin me Egjiptin në çështjet globale e rajonale, tha ai.

Presidenti egjiptian Abdel-Fattah al-Sisi vuri në dukje zhvillimin e spikatur të Kinës dhe tha se zhvillimi i Kinës është i pandalshëm.

Duke vlerësuar lart bashkëpunimin e frytshëm Kinë-Egjipt në kornizën e nismës "Një brez, një rrugë", Sisi theksoi se Egjipti është i gatshëm të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fusha të tilla si infrastruktura, bujqësia, turizmi e financat, dhe mirëpriti më shumë kompani kineze të investojnë në Egjipt.