Polonia i kërkon Gjermanisë të respektojë sovranitetin e vendit
2023-09-26 11:26:30

Foto nga VCG

Qeveria polake është akuzuar nga partitë opozitare se është përfshirë në lëshimin e jashtëligjshëm të vizave polake për emigrantët me ritëm të përshpejtuar, pa kontrolle të duhura, në këmbim të ryshfetit.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi gjatë fundjavës se kjo çështje duhet të qartësohet dhe la të kuptohej se Gjermania mund të ndërmarrë hapa në lidhje me kontrollet në kufirin e saj me Poloninë, shkruan “Panorama”.

“Procedurat e vazhdueshme në Poloni nuk janë kompetencë e kancelarit gjerman. Deklaratat e tij për këtë çështje janë një tentim për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të shtetit polak dhe në fushatën zgjedhore në Poloni”,- shkroi ministri i Jashtëm polak, Zbigniew Rau, në një postim në rrjetin social “X”.

Rau i bëri thirrje kancelarit gjerman të respektojë sovranitetin e Polonisë dhe të përmbahet nga deklaratat që dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe.

Më herët, eurokomisionarja për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson, kërkoi sqarime për këtë çështje dhe i bëri thirrje Polonisë të përgjigjet ndaj akuzave se rreth 350 mijë emigrantë kanë blerë viza shengen në konsullatat polake përmes ndërmjetësuesve.

Në një letër dërguar komisionarit për Siguri të BE-së, qeveria e Polonisë shkruan se kjo çështje është një akt i tepruar mediatik për ta diskredituar atë para zgjedhjeve parlamentare të 15 tetorit.  (Fatosi)