kërpudha të ngrënshme kineze/CFP
Nga Fixhi në Lesoto e në Ruandë, teknologjia kineze Juncao, e cila përdor barin në vend të drurit për të kultivuar kërpudha të ngrënshme, ka ndihmuar në zgjidhjen e një problemi të rëndësishëm: prodhimi i kërpudhave të ngrënshme duhej të mbështetej në rënien e pemëve.
Juncao quhet "bari i begatisë" nga fermerët në Lesoto. Kina ka mbajtur 270 sesione trajnimi mbi këtë teknologji, duke përgatitur mbi 10 000 veta nga 106 vende gjatë 20 vjetëve të fundit.
Përveç teknologjisë Juncao, oriz hibrid, rrugët, urat, puset dhe projekte të tjera në kuadrin e nismës "Një brez, një rrugë" kanë pasur një përparim të madh në vendet pjesëmarrëse, duke i ndihmuar banorët e tyre të bëjnë një jetë më të lumtur dhe më të mirë.
"Një brez, një rrugë" është një "shembull i gjallë" i ndërtimit të një bashkësie globale me të ardhme të përbashkët dhe i një "produkti publik global" dhe platforme bashkëpunimi të ofruar nga Kina botës, sipas një libri të bardhë të titulluar "Një bashkësi globale me të ardhme të përbashkët: Propozimet dhe veprimet e Kinës" të publikuar të martën.
Ky vit shënon dhjetëvjetorin e vizionit që u propozua për herë të parë nga presidenti kinez Xi Jinping më 2013.
Në një konferencë shtypi të martën, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi tha se ky vizion është mbështetur gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare.
Ai pasqyron qëllimin e paqes, drejtësisë dhe përparimit të gjithnjë e më shumë njerëzve dhe aspiratën e tyre të përbashkët për të ndërtuar një botë më të mirë, shtoi Wang.
Që kur "Një brez, një rrugë" u propozua 10 vjet më parë, Kina ka ndjekur bashkëpunimin "e hapur, të gjelbër, të pastër dhe me standard të lartë" për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve.
Ura e ndërtuar nga kompania kineze në Kroaci/CFP
Sipas një raporti të Bankës Botërore me titull "Ekonomia e 'Një brez, një rrugë'", kur nisma "Një brez, një rrugë" të zbatohet plotësisht, tregtia brenda vendeve pjesëmarrëse të nismës do të rritet me 4.1 për qind. Deri në vitin 2030, "Një brez, një rrugë" do të krijojë 1.6 trilionë dollarë të ardhura vjetore globale.
"'Një brez, një rrugë' është një nismë për bashkëpunimin ekonomik, jo për aleanca gjeopolitike ose ushtarake," thuhet në librin e bardhë. "Është një proces i hapur e përfshirës që as shënjestron e as përjashton ndonjë palë."
Nisma, së cilës deri në korrik 2023 i ishin bashkuar më shumë se tre të katërtat e vendeve të botës dhe mbi 30 organizata ndërkombëtare, nuk është një "klub i Kinës" e as një "rrugë private e ndonjë pale," sipas dokumentit të sapopublikuar.
Si vendi më i madh në zhvillim në botë dhe një anëtar i Jugut Global, Kina ka bërë të tëra përpjekjet për të ndihmuar vendet e tjera në zhvillim dhe vendet përfituese që të zgjerojnë kapacitetin e tyre për zhvillim, gjë që është mbështetur edhe prej Nismës së Zhvillimit Global.
Në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, Kina ka zbatuar mbi 130 projekte lidhur me zbutjen e varfërisë, sigurinë ushqimore dhe ndryshimin klimatik në gati 60 vende, duke përfshirë Etiopinë, Pakistanin dhe Nigerinë. Kjo ka sjellë përfitime për më shumë se 30 milionë individë, sipas dokumentit.
Treni me shpejtësi të madhe i ndërtuar nga kompania kineze në Indonezi/CFP
Duke folur të martën, Wang theksoi nevojën për t'i vendosur çështjet e zhvillimit përsëri në qendër të agjendës ndërkombëtare, për të sjellë përfitime më të barabarta për popujt e të gjitha vendeve.
Dhjetë vjet më vonë, ndërtimi i një bashkësie globale me të ardhme të përbashkët ka siguraur arritje të shumta. Ky vizion është shkruar në rezolutat e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara për gjashtë vjet në radhë dhe është përfshirë në disa rezoluta dhe deklarata të mekanizmave shumëpalësh.
Kina ka ndërtuar bashkësi me të ardhme të përbashkët me dhjetëra vende dhe rajone, tha të martën ministri i Jashtëm kinez. Ai shtoi se Nisma e Zhvillimit Global dhe Nisma e Sigurisë Globale kanë fituar mbështetje nga mbi 100 vende dhe Nisma e Qytetërimit Global është pritur shumë mirë nga një numër vendesh.
Wang theksoi që, ndërsa njerëzimi është në një kryqëzim tjetër në histori, kundërvënia në kampe ose loja ku fituesi i merr të gjitha nuk ka të ardhme.
Përballë sfidave globale, siç vihet në dukje në librin e bardhë, më shumë se 190 vende të botës "janë në të njëjtën varkë" dhe të gjitha qeniet njerëzore "janë një familje në fshatin e madh global".
Treni me shpejtësi të madhe i ndërtuar nga kompania kineze në Indonezi/CFP