Foto nga VCG
Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar është theksuar në Ekspozitën e 6-të katërditore Kinë-Shtetet Arabe, të mbajtur në Yinchuan, kryeqendra e rajonit autonom Ningxia Hui të Kinës veriperëndimore, me mbi 400 projekte bashkëpunimi të nënshkruara, njofton “Xinhua”.
Investimet dhe tregtia e planifikuar për këto projekte pritet të arrijnë në 170.97 miliardë juanë (rreth 23.43 miliardë dollarë amerikanë).
Numri i përgjithshëm i të pranishmëve dhe ekspozuesve në ekspozitë këtë vit i kaloi 11.200, që është një rekord i ri për këtë ngjarje. Të pranishmit dhe ekspozuesit përfshinin studiues dhe përfaqësues të institucioneve dhe ndërmarrjeve.
Si vendi mysafir i nderit në këtë ekspozitë, Arabia Saudite dërgoi një delegacion prej mbi 150 përfaqësuesish ekonomikë dhe tregtarë për të marrë pjesë. Ata përfunduan 15 projekte bashkëpunimi, me një vlerë totale prej 12.4 miliardë juanë.
Ekspozita e këtij viti paraqiti panaire dhe forume tregtare mbi tregtinë dhe investimet, bujqësinë moderne, tregtinë ndërkufitare, turizmin kulturor, shëndetin, shfrytëzimin e burimeve ujore dhe bashkëpunimin meteorologjik.
E mbajtur për herë të parë në vitin 2013, Ekspozita Kinë-Shtetet Arabe është bërë një platformë e rëndësishme për Kinën dhe vendet arabe për të promovuar bashkëpunimin pragmatik dhe për të avancuar bashkëpunimin me cilësi të lartë të nismës “Një brez, një rrugë”.
Kina tani është partneri më i madh tregtar i shteteve arabe. Vëllimi i tregtisë Kinë-Arabi pothuajse u dyfishua nga niveli i vitit 2012 në 431.4 miliardë dollarë amerikanë vitin e kaluar. Në gjysmën e parë të këtij viti, tregtia mes Kinës dhe shteteve arabe arriti në 199.9 miliardë dollarë. (Fatosi)