CFP
Evropa po përballet me një krizë të rëndë të shëndetit publik, me pothuajse të gjithë njerëzit në kontinent që jetojnë në zona me nivele të rrezikshme të ndotjes së ajrit, thuhet në një studim të botuar nga “The Guardian”, cituar nga “Panorama”.
Analiza e të dhënave të mbledhura duke përdorur metodologjinë e fundit, duke përfshirë imazhe të detajuara satelitore dhe matje nga më shumë se 1400 stacione monitorimi tokësore, zbulon një pamje të tmerrshme të ajrit të ndotur, me rreth 98% të njerëzve që jetojnë në zona shumë të ndotura, ku nivelet mesatare vjetore të grimcave të pluhurit tejkalojnë limitet e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Pothuajse dy të tretat jetojnë në zona ku cilësia e ajrit është më shumë se dyfishi i udhëzimeve të OBSH-së.
Vendi më i ndotur në Evropë është Maqedonia e Veriut. Pothuajse dy të tretat e njerëzve në të gjithë vendin jetojnë në zona ku niveli i PM2.5 është katër herë më i lartë se udhëzimet e OBSH-së, ndërsa në katër zona ndotja e ajrit ishte 6 herë më e lartë se shifra, duke përfshirë dhe kryeqytetin e saj, Shkupin.
Pothuajse të gjithë banorët në shtatë vendet në Evropën Lindore, si Serbia, Rumania, Shqipëria, Maqedoninë e Veriut, Polonia, Sllovakia dhe Hungaria, nivelin e ndotjes e kanë dyfish më të lartë se limiti i OBSH-së.
Evropa Lindore është më keq se Evropa Perëndimore, përveç Italisë, ku më shumë se një e treta e atyre që jetojnë në luginën e lumit Po dhe zonat përreth në veri të vendit thithin ajër që është katër herë më i lartë se shifra e OBSH-së.
“The Guardian” punoi me ekspertë të ndotjes për të prodhuar një hartë interaktive që zbulonte zonat më të goditura në kontinent. Matjet i referohen PM2.5 - grimca të puhurit të imët të prodhuara kryesisht nga djegia e lëndëve djegëse fosile, disa prej të cilave mund të kalojnë përmes mushkërive dhe në qarkullimin e gjakut, duke prekur pothuajse çdo organ në trup.
Udhëzimet aktuale të OBSH-së thonë se përqendrimet mesatare vjetore të PM2.5 nuk duhet të kalojnë 5 mikrogramë për metër kub (µg/m3). Analiza e re zbuloi se vetëm 2% e popullsisë së Europës jeton në zona brenda këtij kufiri. Ekspertët thonë se ndotja PM2.5 shkakton rreth 400.000 vdekje në vit në të gjithë kontinentin.
Ndotja e ajrit është bërë një çështje kyçe në Europë, me BE-në që është nën presion për të bërë më shumë për të trajtuar krizën në rritje të shëndetit publik. (Irma)