Zv.presidenti kinez u bën thirrje Kinës dhe ShBA-së të forcojnë komunikimin e të menaxhojnë si duhet dallimet
2023-09-21 19:38:09

Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të forcojnë komunikimin dhe të menaxhojnë siç duhet dallimet, në përputhje me tre parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, të paraqitura nga presidenti kinez Xi Jinping, tha të mërkurën zv.presidenti kinez Han Zheng.

Në takimin me krerët e grupeve të miqësisë dhe instituteve të studimit të politikave të ShBA-së, si dhe njerëz nga të gjitha fushat e jetës në Nju-Jork, ku ndodhet për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Han tha po ashtu se Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të zbatojnë konsensusin e rëndësishëm të arritur nga dy krerët e shtetit në Bali të Indonezisë. Ai u bëri thirrje pjesëmarrësve nga ShBA-ja në këtë takim të luajnë një rol aktiv në promovimin e bashkëpunimit kino-amerikan në fusha të tilla si ekonomia, tregtia dhe shkëmbimet ndërnjerëzore, në mënyrë që të nxisin zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-ShBA.

Aktualisht, ekonomia kineze po mëkëmbet dhe po kalon nga rritja me shpejtësi të lartë në zhvillimin me cilësi të lartë. Kina i kushton vëmendje të madhe rritjes së vëllimit ekonomik, por vëmendje edhe më të madhe rritjes së cilësisë dhe efektshmërisë së rritjes ekonomike të saj, tha Han.

Kina do të vazhdojë pa u luhatur hapjen e nivelit të lartë, do të kërkojë bashkëpunim me përfitime të përbashkëta me vendet e tjera dhe do të ofrojë një forcë të vazhdueshme nxitëse për rimëkëmbjen dhe rritjen e ekonomisë botërore, duke ofruar mundësi bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta për investitorët nga e gjithë bota, vuri në dukje zv.presidenti kinez.

Duke vlerësuar objektivin e Kinës për zhvillimin e gjelbër, me lëshim të ulët karboni dhe të qëndrueshëm, pjesëmarrësit nga pala amerikane shprehën shpresën se Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të ruajnë kontaktet dhe shkëmbimin e personelit në të gjitha nivelet dhe do të nxisin zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe, duke shtuar se ata janë të gatshëm të vijojnë të punojnë në këtë drejtim.