Nagorno-Karabak/ Forcat armene bëjnë marrëveshje armëpushimi me Azerbajxhanin
2023-09-21 10:13:47

Foto nga VCG

Njëzet e katër orë pas ofensivës së ushtrisë azerbajxhanase në Nagorno-Karabak, forcat etnike armene kanë pranuar armëpushimin.

Një nga kërkesat kryesore është ajo për çarmatim të plotë, edhe në ato zona që tre vite më parë s'ishin dorëzuar, shkruan “RTSH”.

Rreth 120.000 armenë etnikë jetojnë në enklavën e Kaukazit të Jugut, e njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.

Zyrtarët e Karabakut thonë se të paktën 27 njerëz janë vrarë dhe 200 të tjerë janë plagosur qëkur ushtria azerbajxhanase filloi operacionet antiterror.

Presidenca e Azerbajxhanit njoftoi se do të ketë një takim me përfaqësuesit armenë të Karabakut për bisedime mbi çështjet e riintegrimit.

Ndërmjetësimi i fundit u krye nga paqeruajtësit rusë, të cilët shpallën marrëveshjen për ndërprerjen e plotë të konfliktit. (Elona)