Të dhënat nga kërkimi dhe zhvillimi ndihmojnë inovacionin e mëtejshëm
2023-09-21 16:16:30

Kina shpenzoi rreth 3.08 trilionë juanë (422.1 miliardë dollarë) në vitin 2022 për kërkimin dhe zhvillimin, një rritje prej 10.1 për qind në bazë vjetore, pasi vendi mbetet i palëkundur në rritjen e investimeve në kërkimin bazë dhe përpjekjet për përparime në teknologjitë thelbësore, bëri të ditur Zyra Kombëtare e Statistikave.

foto/VCG

foto/VCG

Sipas ekspertëve, rritja e kontributit të kërkimit dhe zhvillimit do të rrisë më tej aftësitë e inovacionit teknologjik të ndërmarrjeve kineze dhe konkurrencën e tyre thelbësore në skenën globale dhe do të injektojë një shtysë të fortë në rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Zyra e Statistikave bëri të ditur se shpenzimet totale të Kinës për kërkim dhe zhvillim përbënin 2.54 për qind të produktit të saj të brendshëm bruto më 2022-shin, 0.11 pikë përqindje më shumë nga një vit më parë.

Raporti, i cili është midis nivelit mesatar të Bashkimit Evropian prej 2.2 për qind dhe 2.7 për qind të ekonomive të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, renditet i 13-ti në të gjithë globin, tha Zhang Qilong, ekspert i Statistikave.

Në vitin 2022, investimi i vendit në kërkimin bazë ishte 202.35 miliardë juanë, 11.4 për qind më shumë në bazë vjetore, duke u renditur i dyti në botë, me 6.57 për qind të totalit të shpenzimeve për kërkimin dhe zhvillim, sipas Statistikave.

Rritja e shpenzimeve për kërkimin dhe zhvillim tregon përkushtimin e Kinës për zbatimin e një strategjie zhvillimi të drejtuar nga inovacioni, e cila do të forcojë fuqinë e saj në shkencë dhe teknologji, do ta ndihmojë në konkurrencën e ashpër ndërkombëtare dhe do të simulojë nxitës të rinj rritjeje, tha Pan Helin, bashkëdrejtor i Qendrës Kërkimore dhe Ekonomisë Digjitale dhe Inovacionit Financiar në Shkollën Ndërkombëtare të Biznesit të Universitetit Zhejiang.

“Investimi i vazhdueshëm për kërkimin shkencor bazë është çelësi për nxitjen e rritjes ekonomike me cilësi të lartë, për promovimin e transformimit dhe përmirësimin inteligjent të industrive tradicionale”,- tha Pan, duke bërë thirrje për të vlerësuar plotësisht rolin udhëheqës të ndërmarrjeve në forcimin e inovacionit teknologjik.

foto/VCG

foto/VCG

Sipas Statistikave, ndërmarrjet po zgjerojnë investimet e tyre në sektorë të rëndësishëm, duke hedhur një themel të fortë për të bërë përparime në teknologjitë kryesore në fushat kryesore dhe për të përmirësuar aftësitë themelore industriale. Shpenzimet për kërkimin dhe zhvillimin të ndërmarrjeve arritën në 2.39 trilionë juanë në vitin 2022, me 11 përqind më shumë në bazë vjetore. Kjo kontribuoi në 84 për qind të rritjes së kërkimit dhe zhvillimit të vendit, një rritje prej 4.6 pikë përqindje nga viti i kaluar.

Zyra e Statistikave bëri të ditur se vendi do të vazhdojë të rrisë mbështetjen financiare, do të inkurajojë autoritetet vendore të rrisin shpenzimet për kërkimin dhe zhvillimin dhe do të përmirësojnë efikasitetin e përdorimit të kapitalit. Indeksi Global i Inovacionit 2022, i publikuar nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale, tregoi se Kina është ngjitur në vendin e 11-të dhe mbetet ekonomia e vetme me të ardhura mesatare në 30 vendet e para.

Megjithatë, Luo Zhongwei, një studiues në Institutin e Ekonomisë Industriale të Akademisë Kineze të Shkencave Sociale, tha se Kina ende mbetet prapa disa vendeve të zhvilluara në shpenzimet për kërkimin dhe zhvillimin në hulumtimet bazë.  Ai theksoi rëndësinë e disbursimit të më shumë kapitali në edukimin e talenteve të teknologjisë së lartë dhe përshpejtimin e industrializimit të arritjeve shkencore dhe teknologjike.

foto/VCG

foto/VCG

“Duhet të bëhen më shumë përpjekje për të rritur investimet në kufijtë teknologjikë dhe fusha të tilla si informacioni kuantik, inteligjenca artificiale, shkencat biologjike, energjia e re dhe materialet e reja, si dhe për të arritur përparime teknologjike në fusha kyçe përmes inovacionit të pavarur”,- shtoi Luo.

“TCL Technology Group”, një prodhues kinez i elektronikës së konsumit, bëri të ditur se shpenzimet e saj për kërkimin dhe zhvillimin arritën në 10.78 miliardë juanë në vitin 2022, një rritje prej 22.9 për qind në bazë vjetore.  Kompania u zotua të vazhdojë të rrisë investimet e saj në segmente strategjike në zhvillim, si teknologjia e ekranit të gjeneratës së re, energjia e re dhe materialet gjysmëpërçuese, si dhe të përmirësojë më tej aftësitë e saj inovative.