Asambleja (Foto Xinhua)
Udhëheqësit botërorë riafirmuan angazhimin e tyre ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) në samitin e mbajtur në kuadër të debatit të përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në një deklaratë politike të miratuar në samit, liderët riafirmuan angazhimin e tyre për të zbatuar në mënyrë efektive Agjendën 2030 të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe të mbështesin të gjitha parimet e mishëruara në të, citon “Xinhua”.
“Agjenda 2030 mbetet udhërrëfyesi ynë gjithëpërfshirës për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe tejkalimin e krizave të shumta me të cilat përballemi. Ne do të veprojmë me urgjencë për të realizuar vizionin e saj si një plan veprimi për njerëzit, planetin, prosperitetin, paqen dhe partneritetin, duke mos lënë askënd pas”,- thuhet në deklaratë.
Udhëheqësit theksuan se çrrënjosja e varfërisë është sfida më e madhe globale dhe një kërkesë e domosdoshme për zhvillim të qëndrueshëm.
Udhëheqësit pranuan se arritja e SDG-ve është në rrezik.
“Bota jonë aktualisht po përballet me kriza të shumta. Vite të fitimeve të zhvillimit të qëndrueshëm po kthehen prapa. Miliona njerëz kanë rënë në varfëri, uria dhe kequshqyerja po bëhen gjithnjë e më të përhapura, nevojat humanitare po rriten dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike janë më të theksuara. Kjo ka çuar në rritjen e pabarazisë të përkeqësuar nga solidariteti ndërkombëtar i dobësuar dhe një mungesë besimi për tejkalimin e këtyre krizave”,- thuhet në deklaratë.
Udhëheqësit u angazhuan për veprime të guximshme, ambicioze, të përshpejtuara, të drejta dhe transformuese, të mbështetura në solidaritetin ndërkombëtar dhe bashkëpunimin efektiv në të gjitha nivelet dhe premtuan të nxisin një zhvendosje sistematike drejt një bote më gjithëpërfshirëse, të drejtë, paqësore, elastike dhe të qëndrueshme për njerëzit dhe planetin, për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm. (Elona)