Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të nxitur përparimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të Nismës së Zhvillimit Global, u shpreh të martën zv.presidenti kinez Han Zheng.
Pala kineze gjithashtu pret me kënaqësi të bëjë përpjekje të përbashkëta me të gjitha palët për të bashkuar forcat për zbatimin e Agjendës për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030 dhe për ndërtimin e një komuniteti global me zhvillim të përbashkët, tha Han në takimin e nivelit të lartë mbi Rezultatet e Bashkëpunimit të Nismës së Zhvillimit Global, i organizuar nga Kina gjatë sesionit të këtij viti të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Është aspiratë e Nismës së Zhvillimit Global dhe objektiv i OKB-së që asnjë vend apo individ të mos mbetet prapa në rrugën e zhvillimit, vuri në dukje ai.
Nisma e Zhvillimit Global, e propozuar nga presidenti kinez Xi Jinping në sesionin e 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 2021, synon të krijojë konsensus ndërkombëtar mbi nxitjen e zhvillimit, krijimin e shtysave të reja të zhvillimit global dhe përparimin e përbashkët të të gjitha vendeve të botës, theksoi Han.
Sipas tij, gjatë dy vjetëve të fundit, vendet që mbështesin Nismën e Zhvillimit Global, nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta, "kanë hedhur votën pro" për zhvillimin, kanë zgjeruar "rrethin e miqve" për bashkëpunimin, kanë pasuruar "bazën e burimeve" për zhvillimin dhe kanë krijuar "kompletin e mjeteve" për zhvillimin.
Më tepër se 70 vende i janë bashkuar Nismës së Zhvillimit Global dhe gati 200 projekte bashkëpunimi janë përfshirë në grupin e projekteve të kësaj nisme, vuri në dukje Han.
Kina ka krijuar një fond të posaçëm me vlerë 10 miliardë dollarë për zbatimin e Nismës së Zhvillimit Global, tha zv.presidenti kinez.