CFP
Studiuesit kinezë kanë parashikuar se viti 2023 mund të bëhet viti më i nxehtë i regjistruar, ndërsa 2024-a mund të jetë edhe më i nxehtë, bazuar në analizën e një grupi të dhënash që ata kanë zhvilluar, shkruan “Xinhua”.
Studimi, i publikuar të martën në revistën “Advances in Atmospheric Sciences”, u krye nga studiues nga Shkolla e Shkencave Atmosferike në Universitetin Sun Yat-sen në Guangzhou, Kinë.
Ekipi zbuloi se temperaturat mesatare globale të sipërfaqes së detit u rritën në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave në prill, ndërsa temperaturat mesatare globale të ajrit të tokës ndoqën shembullin duke arritur nivelin e tyre të dytë më të lartë mujor në qershor. Ky kombinim rezultoi që maji të kurorëzohej muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë për temperaturat mesatare të sipërfaqes globale, sipas studimit.
Studiuesit bënë parashikimin se 2024-a mund të dëshmojë temperatura edhe më të larta të sipërfaqes globale, bazuar në trajektoren aktuale dhe rezultatet afatshkurtra të parashikimit të “El Nino”-s.
CFP
Studimi vuri në dukje se ndërsa ngrohja globale përshpejtohet, gjasat për ngjarje ekstreme të motit dhe fatkeqësitë rriten, duke bërë thirrje për veprim urgjent.
“Ndërsa temperaturat globale vazhdojnë të thyejnë rekorde, është e qartë se nevojiten përpjekje të menjëhershme dhe të qëndrueshme për të zbutur ndikimet shkatërruese të ndryshimeve klimatike”,- tha Li Qingxiang, autori përkatës dhe profesor në Universitetin Sun Yat-sen. (Elona)