Gjermani/CFP
Qeveria gjermane ka kërkuar 3.97 miliardë euro nga një fond i posaçëm financimi i BE-së, i krijuar gjatë krizës së koronavirusit, hera e parë që vendi kërkon para nga fondi, njoftoi Komisioni Evropian.
Paratë do të përdoren për të përmirësuar transformimin digjital të Gjermanisë, veçanërisht në transportin hekurudhor.
Fondet do të shpenzohen gjithashtu për zhvillimin e vaksinave dhe promovimin e kujdesit dhe edukimit të fëmijëve, shkruan “ATSH”.
“Në mënyrë të veçantë, Gjermania dëshiron të përdorë paratë shtesë për të zgjeruar një program, për të mbështetur blerjen e automjeteve elektrike dhe për të subvencionuar instalimin e infrastrukturës së karikimit”,- bëri të ditur KE-ja.
Komisioni duhet të shqyrtojë kërkesën e Gjermanisë për disbursim brenda dy muajsh. Nëse Komiteti Ekonomik dhe Financiar i shteteve anëtare nuk ngre kundërshtime, paratë mund të disbursohen.
Fondi u krijua në vitin 2021 për të përballuar dëmin ekonomik të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Ai mundëson 338 miliardë euro grante të pakthyeshme dhe 385 miliardë euro kredi.
Fondet financohen përmes borxhit që do të shlyhet kolektivisht deri në vitin 2058. (Elona)