Regis Ostrosi kampion i notit frymëzohet nga motra
2023-09-19 10:27:22

Regis Ostrosi ka marrë pjesë në disa kampionate ku është shpallur fitues në disiplinat krol dhe katërnotim. Që prej 2021 ai vijon të stërvitet me ekipin e notit të Klubit të Tiranës me te cilin ka fituar Kupën e notarit me te mirë për moshat në Republikën e Shqipërisë për vitin 2022, si dhe shumë medalje në aktivitetet ndërkombëtare ne Ballkan. Në gusht  të këtij viti Regis ka triumfuar sërish për moshën e tij në Festivalin Ndërkombëtar Veror të Sporteve në Ohër, duke fituar sërish trofeun e notarit më të mirë për kategorinë e moshës. Pjesëmarrës në këtë aktivitet kanë qenë rreth 460 notarë nga  rreth 16 ekipe.

foto/Regis Ostrosi ( foto personale)

Kush e ka frymëzuar Regis në rrugën e notit?  Është  motra e tij Erla, 5 vjet më e madhe se ai. Këtë vit ajo fillon studimet për mjekësi, por  është notare dhe ka qenë shoqëruesja e pandashme e Regis në te gjitha garat gjatë këtyre 4 viteve. Vajza e imët me kaçurrela që shfaqet në një pjesë të fotove te tij është inspirim dhe mbështetja më e madhe e Regisit të vogël.

CMG: Regis, çfarë është për ty sporti  i notit?

Regis Ostrosi: Sporti i notit për mua është gjithçka. Është dita ime dhe pasioni im. Kam filluar ta kuptoj kur kam qenë ende një fëmijë i vogël dhe sot që e praktikoj, por edhe fitoj çdo ditë kuptoj se sa e rëndësishme është ta duash atë gjë që ti bën . Në tërësi gjërat duhet t’i duash shumë që t’i zotërosh.

foto/Regis Ostrosi ( foto personale)

CMG: Sa orë në ditë praktikohesh?

Regis Ostrosi: Në fakt sporti i notit nuk ka vetëm praktikën, por dhe dietën strikte. Këto duhet të kombinohen shumë mirë që të kenë mundësi për të shkuar gjërat siç duhet . Unë kujdesem të bëj shumë shpesh praktikë dhe më pas kujdesem edhe për ushqimin, aq sa mundem.

foto/Regis Ostrosi me motren e tij ( foto personale)

CMG: Ju keni qenë një fëmijë që e kishit frikë ujin?

Regis Ostrosi: Po, unë kam qenë një fëmijë që e kam pasur shumë frikë ujin .

Kisha frikë të notoja dhe nuk e merrja atë gjë përsipër deri kur e fillova me pak guxim . Sot përpiqem që edhe shokët e shkollës edhe njerëz rreth meje t’i motivoj që noti është sporti më i bukur .

CMG: Si ndihesh që ke marrë shumë çmime?

Regis Ostrosi: Ndihem mire, por nuk kam marrë mjaftueshëm. Unë kam një rrugë të gjatë përpara, e cila do më ofrojë më tepër se kaq . Po punoj që çdo ditë të marr suksese të mëdha mbi supe. E di që këtë gjë do e arrij .

CMG : Si arrihen sukseset në jetë ?

Regis Ostrosi: Sukseset arrihen duke qenë punëtor i rregullt. Pra, nëse punon çdo ditë nga pak por rregullisht ti fillon të duash atë gjë që bën.

foto/Motra E Regisit suporti i tij me i madh ( foto personale)

CMG: Kush të suporton?

Reigs Ostrosi: Mua suport në jetë më është bërë familja ime. Nuk kanë ndalur së plotësuari dëshirat e mia ndaj dhe unë dua t’i bëj gjithmonë krenar.

CMG: Sapo je shpallur kampion noti në një kompeticion në Ohër. Si u ndjeve?

Regis Ostrosi: Unë thjesht i vertetova vetes se mundem që t'ia dal. U lumturova shumë dhe falë familjes që më shoqëroi. Tani jam në pritje të sukseseve të radhës .

Intervistoi  Megi Latifi