Kriza e emigrantëve, von der Leyen: E vendosim ne se kush do të vijë në BE dhe jo trafikantët
2023-09-19 18:05:44

CFP

CFP

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se janë autoritetet evropiane dhe jo trafikantët që vendosin se kush do të vijë në Bashkimin Evropian dhe në çfarë rrethanash, shkruan “Panorama”.

Von der Leyen i bëri komentet gjatë një vizite në Lampedusa, e shoqëruar nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni, ndërsa dhjetëra qytetarë të ishullit italian protestuan kundër rritjes së fluksit të emigrantëve kohët e fundit.

Rreth 126.000 emigrantë kanë mbërritur në Itali këtë vit deri tani. Shifra është pothuajse sa dyfishi i një viti më parë. Lampedusa ka mbajtur barrën kryesore kohët e fundit, me mijëra prurje vetëm këtë javë, më shumë se popullsia e ishullit italian.

Vetëm brenda një dite këtë javë, në ishullin e vogël mbërritën 7000 migrantë. Tensionet janë rritur në ishull, i cili është më afër Tunizisë sesa Italisë kontinentale.

Banorët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me numrin e madh të emigrantëve në ishull.

Emigrantë nga Afrika e Veriut përpiqen të arrijnë Evropë duke përdorur brigjet e ishullit Lampedusa. Banorët thonë se ka dekada që ndodh ky veprim. (Fatosi)