Presidenti shqiptar do të marrë pjesë në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara
2023-09-18 17:33:20

Presidenti Begaj (Foto Rtsh)

Presidenti Begaj (Foto Rtsh)

Presidenti shqiptar Bajram Begaj gjendet në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të kryesuar delegacionin e Shqipërisë, që do të marrë pjesë në Sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas njoftimit të Presidencës, së bashku me kryetarët e shteteve/qeverive të 193 vendeve anëtare të OKB-së, presidenti Begaj do të mbajë fjalën, në cilësi kombëtare, në debatin e përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, bën të ditur “RTSH”.

Gjithashtu, presidenti Begaj do të marrë pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm, i cili do të mbahet në Nju Jork, në vigjilje të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Edhe në këtë forum, presidenti Begaj do të mbajë fjalën në emër të Shqipërisë, në segmentin e dedikuar dialogut të udhëheqësve, përkrah kryetarëve të delegacioneve zyrtare të vendeve të tjera”, shkruhet në njoftimin e Presidencës.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Begaj do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me krerë të tjerë shtetesh dhe zyrtarë të lartë amerikanë, por edhe me përfaqësues të shoqatave të diasporës shqiptare në SHBA. (Fatosi)