Kina ShBA-së: Çështja e Tajvanit mbetet "vija e kuqe nr. 1"
2023-09-18 18:43:15

foto: VCG

foto: VCG

Zyrtarët e lartë të Kinës dhe ShBA-së Wang Yi dhe Jake Sullivan zhvilluan "raunde të shumta takimesh" në Maltë të shtunën dhe të dielën, gjatë të cilave Wang theksoi se çështja e Tajvanit mbetet "vija e kuqe nr. 1" që nuk duhet të kalohet në marrëdhëniet Kinë-ShBA, thuhet në një deklaratë zyrtare të publikuar nga Ministria e Jashtme kineze.

Wang, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe drejtor i Zyrës së Komisionit të Punëve të Jashtme të Komitetit Qendror të PKK-së, i kërkoi ShBA-së të respektojë tre komunikatet e përbashkëta kino-amerikane dhe të përmbushë angazhimin e saj për të mos mbështetur "pavarësinë e Tajvanit".

Në një komunikatë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, thuhet se takimet e të dy zyrtarëve të lartë ishin "të sinqerta, thelbësore e konstruktive", duke qenë pjesë e përpjekjeve "për të mbajtur vijat e hapura të komunikimit dhe për të menaxhuar në mënyrë të përgjegjshme marrëdhëniet."

Bisedimet u zhvilluan teksa Pekini dhe Uashingtoni kanë bërë hapa për të rivendosur kontaktet, pasi linja të shumta komunikimi u ndërprenë gushtin e kaluar për shkak të vizitës së kryetares së atëhershme të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi në Tajvan. 

Të dy palët ranë dakord të vazhdojnë zbatimin e konsensusit të rëndësishëm të arritur nga dy krerët e shtetit gjatë takimit të tyre në Bali të Indonezisë, të ruajnë shkëmbimet e nivelit të lartë dhe të mbajnë konsultimet midis të dy vendeve për çështjet e Azi-Paqësorit, çështjet detare dhe politikat e jashtme, sipas Ministrisë së Jashtme kineze.

Të dy diplomatët diskutuan gjithashtu masat për të mbështetur dhe lehtësuar më tej shkëmbimet e personelit ndërmjet të dy vendeve.

Të dy palët folën edhe për gjendjen në rajonin e Azi-Paqësorit, Ukrainë, Gadishullin Korean dhe çështje të tjera ndërkombëtare e rajonale.