Nga 16 shtatori 2023, në portalin “e-Albania”, janë hapur aplikimet për punonjësit e administratës publike, që përfitojnë nga programi i kredisë së lehtësuar për blerjen e banesës, njofton “RTSH”.
Përfitues për vitin 2023 janë mjekët e sistemit shëndetësor, punonjësit e Policisë së Shtetit dhe ushtarakët e Forcave të Armatosura. Kreditë do të finalizohen nga bankat e nivelit të dytë dhe do të përfitohen me interes 0%.
Për vitin 2023, qeveria vendosi të hapë 300 kuotat e para, të ndara në mënyrë të barabartë për mjekët, policët dhe ushtarakët.
Sipas vendimit, aplikimet e kandidatëve do të shqyrtohen bazuar mbi një sistem pikëzimi.
Kualifikohen për programin ata që janë të martuar, por nuk kanë një banesë në pronësi, ata që kanë një banesë në rrezik shembjeje, ata që jetojnë në banesa të mbipopulluara, etj.
Kushte të tjera përfshijnë pagën në një nivel të përcaktuar me VKM dhe të kenë jo më pak se dy vite të punësuar në administratën publike.
Rreth 130 mijë punonjës të administratës kanë mundësi të aplikojnë në programet sociale në bashkitë respektive. (Fatosi)