Foto:VCG
Po ecën me hapa të shpejtë puna për ndërtimin e gazsjellësit në qytetin e Korçës, një projekt që do të zgjidhë përfundimisht problemin e ngrohjes në qytet. Për kryetarin e bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, konsulentët e nënkontraktuar nga kompania azerbajxhanese janë duke zhvilluar studimin e fizibilitetit që ka të bëjë me koston e implementimit të këtij projekti në Korçë, përcjell “RTSH”.
“Është një projekt i cili do të përmbyllë ndërhyrjet në infrastrukturën madhore bazë të një qyteti siç është Korça, që kanë filluar me ujësjellësin, kanë vazhduar me kanalizimet dhe tani do të ecim edhe me këtë projekt të gazifikimit që synon t’i japë një zgjidhje përfundimtare problematikës së ngrohjes së qytetit të Korçës”,- u shpreh Filo.
Sipas tij, ky projekt është prioritet edhe i qeverisë shqiptare ndaj pritet që deri në fund të vitit të ketë përfunduar studimi i fizibilitetit për të filluar vitin e ardhshëm puna për ndërtimin e gazsjellësit.
“Në zbatimin e këtij projekti ne kemi gjetur mbështetjen e qeverisë, e cila e ka futur projektin e gazifikimit të Korçës në prioritetet e saj dhe është duke diskutuar me partnerë shumë të rëndësishëm, siç është qeveria e Azerbajxhanit dhe kompania shtetërore e gazit e Azerbajxhanit”, - tha Filo.
Ndërtimi i gazsjellësit të ri në qytetin e Korçës pritet të sjellë një zgjidhje alternative për ngrohje duke shmangur përdorimin e druve të zjarrit dhe për rrjedhojë ndotjen e ambientit teksa nga ana tjetër do të ketë kosto më të ulët për bizneset dhe familjet. (Irma)