Vendet bëjnë thirrje për t'i kushtuar më shumë rëndësi të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore
2023-09-17 15:21:38

Ambasadori Chen Xu me z.(Foto:VCG)

Ambasadori Chen Xu me z.Volker, Gjenevë, shtator 2023(Foto:VCG)

Kina iu bashkua të premten disa vendeve të tjera në nënvizimin e rëndësisë së të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore në një sesion të Kombeve të Bashkuara, duke thënë se çekuilibri aktual midis të drejtave të sipërpërmendura dhe atyre civile e politike, ka minuar premtimin për një botë pa frikë dhe pamjaftueshmëri, duke përkeqësuar më tej pabarazinë.

Chen Xu, kreu i misionit kinez të OKB-së në Gjenevë, bëri të premten një deklaratë të përbashkët në sesionin e 54-të në zhvillim e sipër të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, në emër të grupit kryesor të rezolutës për nxitjen dhe mbrojtjen e të drejtave arsimore, sociale e kulturore kundrejt pabarazisë, e cila përbëhet nga Bolivia, Egjipti, Pakistani, Afrika e Jugut dhe Kina.

Z. Chen tha se Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut nuk vendos një të drejtë të njeriut mbi të tjerat, ndërsa vendet nuk duhet t'i ndjekin ato në mënyrë të çekuilibruar dhe hierarkike. Sipas tij, të gjitha palët duhet të mbështesin dialogun dhe bashkëpunimin konstruktiv të bazuar mbi barazinë dhe respektin e ndërsjellë, duke u përpjekur për një qasje të balancuar për promovimin e të drejtave të njeriut.

Po të premten Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut Volker Turk publikoi në Këshill raportin e tij mbi të drejtat arsimore, sociale e kulturore dhe shërimin nga COVID-19, duke theksuar se pa këto të drejta njerëzit nuk mund të marrin pjesë plotësisht në jetën civile dhe politike.

Në nivel global, shpenzimet publike për të drejtat arsimore, sociale e kulturore janë shumë të pamjaftueshme, tha ai, duke shtuar se deri në vitin 2030, rreth 84 milionë fëmijë do të jenë jashtë shkollave dhe 300 milionë të tjerë nuk do të përfundojnë arsimin fillor dhe as përvetësojnë aftësitë minimale të edukimit.

Vitin e kaluar, rreth 2 miliardë punëtorë në botë ishin me punësim joformal dhe të pasigurt, pa sigurime shoqërore. Ndërsa 2 miliardë të tjerë përballeshin me shpenzime katastrofike ose varfëruese shëndetësore, tha ai.

Z. Turk shtoi se në nivelin global, pothuajse 600 milionë njerëz parashikohet të përballen me urinë deri në vitin 2030, rreth 2 miliardë jetojnë pa aksesin e ujit të pijshëm, të pastër e të sigurt, ndërsa varfëria globale është rritur për herë të parë në mbi 20 vjet. Duke iu referuar tendencave aktuale, Turk tha se deri në vitin 2030, rreth 574 milionë njerëz, ose gati 7 për qind e popullsisë së botës, do të jetojnë në varfëri ekstreme.(Zhang Yan/Edmond)