INSTAT: Shitjet me pakicë në Shqipëri shënuan rritje me 5.8%
2023-09-17 11:35:25

Treg në Shqipëri (Foto ATSh)

Treg në Shqipëri (Foto ATSh)

Volumi i shitjeve në tregtinë me pakicë, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, shënoi rritje me 5.8%, krahasuar me tremujorin e dytë të 2022-shit. Ky tregues i përshtatur sezonalisht sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave, cituar nga “ATSH”, është rritur 1.3% krahasuar me tremujorin paraardhës.

Referuar raportit, në tregtinë me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e dytë 2023 është rritur me 5.1%, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2022.

Rritje e volumit të shitjeve u pa edhe në grupin “ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”.

Sipas INSTAT-it, volumi i shitjeve është rritur 4.3%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022.

Në grupin “tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve është rritur me 7.3%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022.

Në ndryshimin vjetor prej 5.8%, grupi “tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” ka kontribuar me 2.4 pikë përqindje, grupi “artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, me 2.1 pikë përqindje dhe grupi “ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, me 1.3 pikë përqindje. (Irma)