Foto nga Xinhua
Riglobalizimi është në interesin tonë të përbashkët, deklaroi për “Xinhua” Ralph Ossa, kryeekonomist i Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT).
Sipas tij, riglobalizimi nënkupton rritje të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe integrim më të gjerë dhe është çelësi për adresimin e sfidave urgjente të kohës sonë dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.
Të martën, OBT-ja publikoi Raportin e Tregtisë Botërore për vitin 2023, i cili paraqet prova të reja të përfitimeve të integrimit ekonomik më të gjerë e më gjithëpërfshirës, pasi treguesit e hershëm të fragmentimit të tregtisë kërcënojnë të zbutin rritjen dhe zhvillimin.
“Raporti synon të sfidojë narrativën në rritje skeptike ndaj tregtisë, e cila sugjeron se tregtia ndërkombëtare është një pengesë për ndërtimin e një bote më të sigurt, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Një tregim i tillë është thelbësisht i ndryshëm nga narrativa që ka udhëhequr politikëbërjen tregtare që nga viti 1947. Globalizimi është me të vërtetë në një udhëkryq, pasi batica po kthehet kundër tij, por ka ende kohë për të vepruar”,- tha ai.
Sipas tij, kostot ekonomike të fragmentimit do të jenë të mëdha.
Një simulim i bërë nga ekonomistët e OBT-së sugjeron se në skenarin më të keq të rivalitetit të plotë gjeopolitik, të ardhurat globale mesatarisht do të bien me 5 për qind dhe flukset tregtare mesatarisht do të bien me 13 për qind, shtoi ai.
“Për të ruajtur paqen dhe sigurinë, për të reduktuar varfërinë dhe pabarazinë, dhe gjithashtu për të arritur një ekonomi të qëndrueshme, ne duhet të përqafojmë tregtinë dhe jo ta refuzojmë atë. Ne gjithashtu kemi nevojë për një sistem tregtar shumëpalësh”,- theksoi Ossa.
Sipas kryeekonomistit, Marrëveshja e OBT-së për Lehtësimin e Tregtisë, e cila hyri në fuqi më 22 shkurt 2017, ka rritur tregtinë me 231 miliardë dollarë amerikanë. Këto përfitime u janë grumbulluar veçanërisht vendeve në zhvillim, duke treguar se marrëveshja ndërmerr hapa të rëndësishëm drejt riglobalizimit, tha ai.
Duke folur për rolin e Kinës në procesin e riglobalizimit, Ossa tha se Kina është një mbështetëse e sistemit tregtar shumëpalësh dhe gjithashtu të globalizimit. “Kina ka përfituar nga pjesëmarrja në sistemin tregtar shumëpalësh dhe ka arritur rritje ekonomike spektakolare, duke nxjerrë miliona njerëz nga varfëria, duke u dhënë kështu shpresë vendeve në zhvillim në mbarë botën”, tha Ossa. (Irma)