BE-ja ofron ndihmë për Libinë e shkatërruar nga përmbytjet
2023-09-13 15:23:53

Bashkimi Evropian i ka ofruar ndihmë Libisë, pasi vendi u përfshi nga një stuhi e fuqishme, që shkaktoi vdekjen e mijëra personave dhe dëme masive, njoftoi në platformën “X”, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.

“BE-ja po ndjek situatën nga afër dhe është e gatshme të ofrojë mbështetje”, shkroi Borrell, citon “ATSH”.

“I pikëlluar nga imazhet e shkatërrimit në Libi, të shkaktuara nga kushtet ekstreme të motit që kanë çuan në humbjen tragjike të shumë jetëve”, shtoi ai.

Një stuhi e fuqishme që përfshiu Libinë lindore shkaktoi vdekjen e mijëra personave, zhdukjen e shumë të tjerëve dhe dëme masive.

Autoritetet vendase flasin për mbi 2000 viktima dhe mbi  6000 persona janë raportuar të zhdukur. (Elona)