Samiti i ASEAN-it përfundon me rezultate të frytshme pavarësisht sfidave globale
2023-09-09 18:09:52

foto nga CFP

foto nga CFP

Samiti i 43-të i Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) përfundoi me një sërë rezultatesh të frytshme, pavarësisht rritjes së pasigurive globale. “Kryesia indoneziane ka arritur shumë në drejtim të përpjekjeve për ruajtjen e stabilitetit dhe prosperitetit në rajon”,- deklaroi presidenti indonezian Joko Widodo në një konferencë për shtyp pas samitit, citon “Xinhua”.

Sipas tij, bota ka nevojë për një shtëpi të sigurt dhe ASEAN është në rrugën e duhur për të qenë në gjendje t'i kryejë ato role.

Në samitin e këtij viti, nën kryesimin e Indonezisë, u miratuan një sërë dokumentesh, duke përfshirë deklaratën e liderëve të Samitit të Azisë Lindore (EAS) mbi epiqendrën e rritjes dhe një marrëveshje për zhvillimin e ekosistemit të automjeteve elektrike, tha presidenti.

Vendet pjesëmarrëse të EAS riafirmuan angazhimin e tyre për të ruajtur dhe promovuar rajonin si një epiqendër rritjeje duke ndërtuar elasticitet ndaj sfidave në zhvillim dhe goditjeve të ardhshme përmes bashkëpunimit, thuhet në deklaratë.

foto nga CFP

Gjatë samitit, anëtarët e ASEAN-it riafirmuan angazhimin e tyre për të forcuar më tej ASEAN-in si një organizatë që është e fuqishme dhe e pajisur me kapacitete të forta dhe efektivitet institucional.

“Detyrat e mëdha të ASEAN nuk do të përfundojnë vetëm me një kryesim. Ne do të vazhdojmë të përballemi me kompleksitetin e sfidave globale”,- tha presidenti indonezian.

Indonezia i dorëzoi Laosit kryesimin e ASEAN-it për vitin 2024 në ceremoninë e mbylljes.

Themeluar në vitin 1967, ASEAN-i grupon Brunein, Kamboxhian, Indonezinë, Laosin, Malajzinë, Mianmarin, Filipinet, Singaporin, Tajlandën dhe Vietnamin. (Irma)

Presidenti indonezian Joko Widodo gjatë një konference shtypi në kuadrin e samitit të ASEAN-it/ foto nga CFP