Mbrojtja e grave (Foto Xinhua)
360 miliardë dollarë shtesë në investime në vit nevojiten për të arritur barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave përgjatë synimeve kyçe globale deri në vitin 2030, thuhet në një raport të OKB-së.
Raporti u hartua bashkërisht nga “UN Women” dhe Departamenti i OKB-së për Çështjet Ekonomike dhe Sociale, përcjell “Xinhua”.
Raporti vjetor ofron një analizë gjithëpërfshirëse të gjendjes aktuale të barazisë gjinore në të 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe theksoi tendencat mbizotëruese, boshllëqet dhe pengesat e fundit në rrugëtimin drejt arritjes së barazisë gjinore deri në vitin 2030.
Ai pikturoi një pamje shqetësuese në gjysmë të rrugës së Axhendës për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030, duke treguar se bota po ngel në arritjen e barazisë gjinore pavarësisht përpjekjeve globale.
Raporti paralajmëroi se, nëse trendet aktuale vazhdojnë, më shumë se 340 milionë gra dhe vajza, ose rreth 8 për qind e popullsisë femërore në botë, do të jetojnë në varfëri ekstreme deri në vitin 2030 dhe afërsisht një në katër do të përjetojnë pasiguri ushqimore të moderuar ose të rëndë.
Hendeku gjinor në pushtet dhe pozicione drejtuese mbetet i rrënjosur, thuhet në raport, duke vënë në dukje se me ritmin aktual të progresit, brezi i ardhshëm i grave do të kalojnë ende mesatarisht 2.3 orë më shumë në ditë për kujdesin e papaguar dhe punët e shtëpisë sesa burrat.
Raporti nënvizoi nevojën urgjente për përpjekje konkrete për të përshpejtuar përparimin drejt barazisë gjinore deri në vitin 2030.
Raporti bëri thirrje për një qasje të integruar dhe gjithëpërfshirëse, bashkëpunim më të madh midis palëve të interesuara, financim të qëndrueshëm dhe veprime politikash për të adresuar pabarazitë gjinore dhe për të fuqizuar gratë dhe vajzat në mbarë botën, duke arritur në përfundimin se dështimi për t'i dhënë përparësi barazisë gjinore tani mund të rrezikojë të gjithë Axhendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. (Irma)