Kina: Akuzat e ShBA-së janë të paarsyeshme
2023-09-08 14:37:15

Foto nga VCG

ShBA-ja shpërfill faktet dhe bën akuza të paarsyeshme ndaj Kinës, gjë të cilën pala kineze nuk e pranon dhe e kundërshton ashpër, duke i paraqitur demarsh serioz palës amerikane, u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës në një konferencë shtypi të enjten. Ai i bëri këto komente kur u pyet lidhur me akuzat e paarsyeshme të bëra prej palës amerikane ndaj palës kineze në Samitin e Azisë Lindore të organizuar të enjten mbi probleme si ato të Tajvanit e të Detit të Kinës Jugore.

Zëdhënësi u shpreh se problemi i Tajvanit është punë e brendshme e Kinës dhe në të nuk lejohet ndërhyrja e huaj. Aktet separatiste të "pavarësisë së Tajvanit" dhe nxitja nga forcat e jashtme janë kërcënimet më të mëdha për paqen në ngushticën e Tajvanit. Për të ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë në ngushticën e Tajvanit duhet të kundërshtohet "pavarësia e Tajvanit". "I kërkojmë palës amerikane të zbatojë pa luhatje parimin e 'Një Kine' dhe dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, të ndalojë përdorimin e çështjes së Tajvanit për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës dhe të ndërmarrë veprime konkrete për të ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë në ngushticën e Tajvanit, e jo të bëjë të kundërtën," theksoi ai.

Pala kineze kundërshton gjithmonë që disa vende jashtë këtij rajoni të krijojnë trazira e të dëmtojnë paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale. Kina dhe vendet e ASEAN-it po nxitin aktivisht diskutimet mbi Kodin e Sjelljes në Detin e Kinës Jugore. Vendet jashtë rajonit duhet të respektojnë përpjekjet e vendeve rajonale për diskutimet mbi rregullat në Detin e Kinës Jugore dhe ruajtjen e paqes dhe të qëndrueshmërisë në Detin e Kinës Jugore. (Çang Çuo)