Bota pret që samiti i G20-s të dërgojë sinjale shprese dhe besimi
2023-09-07 19:55:53

Nga 9 deri më 10 shtator, liderët e G20-s do të takohen në Nju-Delhi të Indisë. Në prag të këtij samiti, shumë ekspertë europianë u shprehën në intervista për Grupin Mediatik të Kinës se ata shpresojnë që në këtë samit të arrihet më shumë konsensus ndërkombëtar për të nxitur bashkëpunimin, duke i dërguar sinjale shprese dhe besimi botës së tanishme plot pasiguri.

Foto:VCG

Foto:VCG

Sipas dr. Michael Borchmann, ish-drejtor i Drejtorisë së Çështjeve Evropiane e Ndërkombëtare të landit gjerman të Hesenit, pavarësisht se forumi ka si temë “Një Tokë, një familje, një e ardhme”, nëse duan të arrijnë rezultate, të gjithë pjesëmarrësit duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta, duke shmangur krijimin e çarjeve e të fronteve sipas sistemeve politike, gjë që do të acaronte mosmarrëveshjet dhe konfliktet.

Ish-konsulli i përgjithshëm i Polonisë në Shangai Sylwester Szafarz u shpreh se zhvillimi i gjelbër është një ndër temat e rëndësishme të forumit, që është në përputhje me konceptin e zhvillimit të Kinës. Ai theksoi se vendet anëtare të BRICS-it do të kenë ndikime gjithnjë e më të mëdha në vendimmarrjen e samitit të G20-s. Z. Szafarz shpreson se rezolutat e këtij samiti do të vihen në zbatim dhe vendet anëtare të BRICS-it e ato të G20–s do të realizojnë bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin konkret.

Fabio Massimo Parenti, anëtar i Laboratorit BRICS pranë EURISPES, u shpreh se krijimi i G20-s synon demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare për të tejkaluar grupin e vogël të G7-s, duke lejuar të gjitha ekonomitë e reja të zhvillojnë diskutime për bashkëpunimin e barabartë dhe me leverdi të ndërsjellë për të gjithë njerëzimin. Tema e këtij forumi “Një Tokë, një familje, një e ardhme” rezonon me propozimin e Kinës për ndërtimin e komunitetit me fate të përbashkëta. Ndërkohë, edhe Nisma e Zhvillimit Global, që fokusohet te çështja e zhvillimit botëror, përputhet me parimin e G20-s.

Foto:VCG

Foto:VCG

Helena Kocova, gazetare e Partisë Komuniste Çeke-Moraviane, është e mendimit se samiti i G20-s është një mbledhje e rëndësishme gjatë periudhës së transformimit botëror. Sipas saj, vendet në zhvillim duan një mjedis të qëndrueshëm dhe të barabartë të tregut. Ajo shpreson se G20-a do të përparojë në rikrijimin e mjedisit të përshtatshëm për tregtinë ndërkombëtare, duke i dhënë mundësi kontinentit afrikan për të nxitur zhvillimin e ekuilibruar të ekonomisë globale.

Presidentja e Dhomës Bullgaro-Kineze për Zhvillimin Industrial Desislava Doncheva tha në intervistën për CMG-në se bashkësia ndërkombëtare po përballet me shumë sfida, me shtimin e presionit të rënies së ekonomisë globale si dhe vështirësitë e realizimit të zhvillimit të vazhdueshëm. Ajo shpreson se samiti do të bëjë një reagim pozitiv për zhvillimin ekonomik, duke nxitur “një qeverisje më të barabartë dhe më të arsyeshme, me anën e grumbullimin të mençurisë e të forcave të palëve të ndryshme”, siç bëri thirrje presidenti kinez Xi Jinping në samitin e BRICS-it.

Foto:VCG

Foto:VCG

Ndërsa presidenti i nderit i Shoqatës ChinaRo Vicentiu Gheorghe tha se, si anëtare e rëndësishme e G20-s, Kina ka luajtur rol të rëndësishëm për një kohë të gjatë në përmirësimin e qeverisjes globale dhe nxitjen e rigjallërimit ekonomik botëror. Nga përmasat ekonomike dhe mundësitë e rritjes, Kina përfaqëson një forcë të vërtetë për ekonominë botërore. Tani Kina po i përkushtohet ndryshimit të modelit të zhvillimit nga orientimi drejt eksportit në mbështetjen te risitë. Samiti i G20-s që do të hapet së shpejti, do të jetë një arenë e rëndësishme e Kinës për të marrë pjesë në bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar dhe përmirësimin e qeverisjes globale.(Zhang Yan/Artan)