Rimëkëmbja ekonomike kryeson axhendën e Samitit të G20
2023-09-06 11:06:18

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Kryeministri kinez Li Qiang do të marrë pjesë në Samitin e 18-të të G20-s që do të zhvillohet në Nju Delhi, Indi, më 9 dhe 10 shtator, ku do të mblidhen liderët dhe përfaqësuesit e këtyre vendeve për të diskutuar masat për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike globale.

Samiti zhvillohet në një kohë kur ekonomia globale po përballet me presion të shtuar dhe ka vështirësi në arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm në mbarë botën, mes sfidave në rritje si ndryshimi i klimës dhe kriza e vazhdueshme e Ukrainës, shkruan “China Daily”.

Kina shpreson se Samiti i Nju Delhit do të ndihmojë në ndërtimin e konsensusit, për të dërguar një mesazh besimi në botë dhe për të promovuar prosperitetin dhe zhvillimin.

G20-a përbëhet nga 19 vende - Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Franca, Gjermania, India, Indonezia, Italia, Japonia, Republika e Koresë, Meksika, Rusia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, që përfaqësojnë rreth 85 për qind të PBB-së globale, mbi 75 për qind të tregtisë globale dhe rreth dy të tretat e popullsisë botërore.

Ky është forumi kryesor ndërqeveritar për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar dhe luan një rol të rëndësishëm në formësimin dhe forcimin e arkitekturës dhe qeverisjes globale për të gjitha çështjet kryesore ekonomike ndërkombëtare.

Si mikpritëse e samitit të këtij viti, India i jep përparësi zhvillimit të gjelbër, financimit të klimës, mjedisit, rritjes së përshpejtuar, gjithëpërfshirëse dhe elastike, përshpejtimit të progresit në qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, transformimit teknologjik dhe infrastrukturës publike digjitale, institucioneve shumëpalëshe për shekullin e 21-të, si dhe zhvillimin e udhëhequr nga gratë.

Kina, si avokatja e fortë e multilateralizmit të vërtetë, pritet ta përdorë samitin për të nënvizuar nevojën për t'u ripërqendruar në çështjen e zhvillimit, pasi bota po përballet me kriza dhe sfida të shumta, thanë vëzhguesit. (Elona)